Çun Lajçi: Të heshtësh, të flasësh apo të çmendësh?
Dhe…përse të shkruej e si të shkruej? Manastirqe? Tironse? Apo gegnishte, në gjuhën e perëndisë, në gjuhën e nanës; – mjaltë me tamël!Gegnishte po ia nisi se t’lapsit jemi ba të gjithë, por me shkrue kemi harrue! Kangën jo, se të kangës jemi ba nga i pari te i mbrami.Madje aktorë të mëdhej të komedisë, dramës e tragjedisë njëherësh.Roman jetik që s’lexohet. Fjalë pa kujtesë.E prapë na mungojnë letrat, edhe pse fabrikat nxjerrin pa pushim topa letrash e dengje lapsash.Por ja që s’nxjerrin topa kokash.Jemi me fat që kemi celularë, laptopë e kompjuterë,se vagona letra do t’harxhoheshin tue zhgarravitë për filan deputeten që i ka mbushë gjokset e buzët, e për filan haraçxhiun që i ka mbjellë flokët që të bahet i ri për fajet e veta.Për dashninë deshta me shkrue, por të gjithë jemi ba donzhuana, e nuk pyesim për puthje.Mjafton me thanë: “Sa e bukur je”, dhe bota të hidhet në qafë si pa peshë.Ah!Brisku i doktorit na mori n’qafë me bukuri fallco.Fytyra të reja… shpirtra të vjetër… pasqyra që s’e njohin më njeriun.Pse me shkrue?Për çka me e shtyp tastaturën në kohën e “gjithëdijës”?Të thuash se ke qenë profesor e ke nxjerrë nga terri mijëra fëmijë – nuk të beson as dërrasa e zezë me gjurmët e shkumësit të bardhë.Të thuash se ke qenë kirurg e ke shpëtue qinda njerëz –qesh me ty skalperi.Të thuash se ke qenë artist e shok e ke pasë Bekimin, që lindi në Sarajevë e jetoi në Beograd, apo mik Gjeloshin e Mileshit, n’Mal t’Zi,të veshin menjëherë me jugonostalgji e me dyshime.Në këtë kohë, kujtesa shihet si faj.Të heshtësh, të flasësh apo të çmendësh?Cila asht fjalia e drejtë?Rri pranë pikturave të Ibrahim Kodrës, që pushon në Ishëm.Pi kafe me pesë yje të bujarit Behgjet Pacolli nga Mareci, e dua me shkrue për ata që ju s’arritet ti shihni:Esad Mekulin, Lorenc Antonin, Tajar Hatipin, Gjakush Qaparin,Ali Sokolin, Ibrahim Kodrën…Por s’po shkruej.Sepse ata ishin emna të përveçëm, e ju jeni mësua me emna të përgjithshëm.Mendoni se historia fillon me nji lulëzim pranvere e mbaron me nji zbardhim dimëni.Harroni se çdo kohë kishte njerëzit e vet.Ata s’ishin ministra. S’ishin pushtetarë.Ishin mbjellës drite, të farës së bardhë në kokat tona të turbullta.Ishin pishtarët që e shtynë terrin e nji shekulliqë ne të ecim drejt kohës se re! Po heshti. S’po shkruej se kush isha e çka bana, se kjo asht barrë e madhe për kokat e vogla. Po pi kafe me kubizmin e nji piktori nga Ishmi, e nuk po çmendem prej flokëve të mbjelluna e prapanicave të mbushuna.Sepse gjithçka sot shitet. Gjithçka hahet. Përeç jetës që s’po u pika në filxhanin e kafës, me mashtrimet e pushtetarëve lakmitarë e naiv.Sot veç e vërteta nuk shitet, si zhurma.E ndoshta fjalia e drejtë asht kjo:të jetosh pa zhurmë, e të shkruesh kur heshtja të dhemb.06.02.2026
