Kur mesjeta përplaset me modernitetin

Shkruan; Ismet Hajrullahu

Nje predikues islamik, hipi në një taksi londineze dhe kërkoi që shoferi të fikte radion, sepse sipas tij muzika nuk lejohet, dmth është harram, pasi në kohën e Profetit nuk kishte muzikë perëndimore.

Shoferi, me qetësi, fiku radion, ndaloi makinën dhe hapi derën e taksisë. Kur predikuesi e pyeti i habitur pse, ai iu përgjigj: “Në kohën e Profetit nuk kishte taksi, nuk kishte bomba, nuk kishte altoparlantë që zgjonin foshnjat e të moshuarit.

Pra, nëse do të jetosh si në shekullin e VII, dil jashtë dhe prit devenë.”Ky episod, i thjeshtë në dukje, është një pasqyrë e kontradiktave që shpesh shfaqen kur predikimet fetare përpiqen të imponohen në realitetin e sotëm.

Satira e këtij dialogu është një kritikë e qartë ndaj hipokrizisë: si mund të kërkosh të jetosh sipas rregullave të lashta, ndërkohë që shfrytëzon teknologjinë e shekullit XXI?!

Në fakt, ky është një fenomen i përhapur ku njerëz të caktuar bëjnë zgjedhje selektive gjasme sipas “traditës”: muzika shpallet e ndaluar, por mikrofonët, kamerat, avionët dhe interneti përdoren pa hezitim.

Kjo përzgjedhje e interesave të caktuara nuk ka të bëjë fare me besimin, dhe satira e taksistit e nxjerr në pah me një fjali të thjeshtë: nëse do të jetosh si në mesjetë, atëherë mos hip në taksi – prit devenë!Ky shembull nuk ka të bëjë fare me ofendimin e besimit të dikujt, por me demaskimin e absurditetit të atyre që e përdorin fenë si justifikim për kufizime të pakuptimta, ndërkohë që vetë përfitojnë nga moderniteti.

Mesjeta nuk mund të rikthehet me urdhra, as moderniteti nuk mund të ndalet me predikime.

Dhe kur këto dy botë përplasen, satira është arma më e fortë për të treguar kontradiktën.

Shoqëria e sotme ka nevojë për një reflektim të thellë: nuk është muzika ajo që rrezikon moralin, por injoranca e atyre që e përdorin fenë si mburojë për të imponuar mendësi të vjetra.

Moderniteti nuk është armik i besimit, por një mundësi për ta jetuar atë me më shumë kuptim dhe liri.Dhe kur dikush përpiqet ta ndalë jetën me argumente të shekullit të VII, përgjigjja më e mirë është e thjeshtë: “prit devenë!”

Back to top button