Besnik Berisha, kryetari i “OAK” kërcënon avokatin Leci: Nëse nuk e realizon pagesën vjetore do e humbësh të drejtën e ushtrimit të avokatisë!
Avokati i njohur, Avni Leci, ka reaguar ndaj një emaili zyrtar të dërguar nga kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Besnik Berisha, ku ka kërcënuar se, nëse nuk realizohet pagesa vjetore, Lecit do të ketë pasoja, “humbje e të drejtës së ushtrimit të avokatisë”.
Këtë kërcënim sipas avokatit Lecit, kryetari Berisha po e bënë duke shkelur e bërë veprime arbitrare të ndërmarra në kundërshtim me afatin prekluziv të paraparë me nenin 39 par. 1 pika 1.10 të Ligjit Për Avokatinë në Kosovë, duke cenuar rëndë rolin e avokatit, si anëtarë i Odës.
Ky është reagimi i avokatit Avni Leci:
REAGIM PUBLIK!
Është shqetësues veprimi i ndërmarr nga Oda e Avokatëve të Kosovës, ndaj anëtarëve të saj duke dërguar e-mail kërcënues, me pasoja të rënda “humbje e të drejtës së ushtrimit të avokatisë”, nëse nuk paguhet anëtarësia vjetore brenda “afatit kufizues deri 31.01.2026”, i cili afat është përcaktuar në mënyrë njëanshme dhe të kundërligjshme nga vet dërguesi i këtij e-maili në emër të Odës, që ex-lege përfaqësohet nga Kryetari i OAK-së. Afati dhe pasojat e cekura në këtë e-mail, janë veprime arbitrare të ndërmarra në kundërshtim me afatin prekluziv të paraparë me nenin 39 par. 1 pika 1.10 të Ligjit Për Avokatinë në Kosovë, duke cenuar rëndë rolin e avokatit, si anëtarë i Odës. Gjithashtu, edhe kushtëzimi i dërgimit të ID kartelës identifikuese, “si pronë e avokatit”, duke u lidhur me pagesën e anëtarësisë vjetore vetëm gjatë muajit janar/2026, duke përcaktuar se vetëm ata avokatë/anëtarë të Odës që paguajnë antarësinë brenda këtij afati, munden të pajisen me ID-a. Përveç se, është veprim diskriminues, njëherit është veprim i kundërligjshëm, përkatësisht ky kufizim është në kundërshtim me nenin 8 par. 1 dhe nenin 9 të Ligjit Për Avokatinë në Kosovë.Unë si Avokat dhe delegat i Kuvendit të OAK-së, kërkoj nga Oda e Avokatëve të Kosovës, të ndalojë çasje të tilla arbitrare ndaj antarëve të saj, duke dërguar dhe shpërndarë njoftime, nën kërcënimin e pasojave të rënda, të bëra në kundërshtim me normativën ligjore dhe afatet prekluzive, si dhe duke tentuar që të pengojë ushtrimin e profesionit të avokatisë në nivel vendi, i cili veprim është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin Për Avokatinë në Kosovë.Oda është e avokatëve dhe çdo keqpërdorim i të drejtave në emër të Odës, do të jetë e pa pranueshme !





