
Kimete Berisha: Diktatorët e livadheve! Çon ‘poshtë’ personalitetet e Kosovës dhe ata të Shqipërisë!
Gazetarja Kimete Berisha, ka ironizuar fortë me Albulena Haxhiun, Ramush Haradinaj, Albin Kurtin, Edi Ramën, e plotë të tjerë.
Ajo ka ndërlidhur ngjarjet me satirën e sajë duke përdorur pak paradoi e duke cekur këngën e Sinan Vllasaliuhut, “Mos ia dalni”.
Diktatorët e livadheve (II)
(Me ndihmën e këngës shqiptare të ndarjes:
“Mos ia falni”.)
…
Lajmi 1.
Albulena Haxhiut
i uroj pjesëmarrjen në Panairin e Librit.
Nga të gjithë librat, e kishte zgjedhur ta reklamonte “Kanunin e Lekë Dukagjinit”.
U.D. Presidentja e di se Leka ua lejonte burrave t’i rrahin gratë (ama jo t’i mbysin), por nuk u lejonte të kenë shtëpi.
Vajzat fejoheshin në djep, e gruaja, sipas Kanunit, është mjet shtëpiak,
apo “shakull për t’u mbajtur”.
Ama Albulena… ka studiuar Juridikun.
Dhe kryeministri përbehet në kokën e saj.
…
Lajmi 2.
Ramush Haradinaj
ka pranuar të bëhet President.
Nëse insiston Vjosa Osmani.
Pas një konsultimi të gjatë me Davidin dhe seancave me Jezusin,
ka pranuar të bëhet President me votat e Albin Kurtit.
Ka pranuar që edhe një herë ta rrezikojë veten për Kosovën,
anipse ende nuk e ka të qartë kush është ky njeri.
Ky Albin Kurti.
Veç e di se është i dyshimtë dhe shumë i rrezikshëm.
Nëse Albin Kurti e bën President, do ta lante veten…
Mbi të gjitha,
do ta humbte statusin “mashtrues”, që ia ka ngjitur Ramush Haradinaj, frymëzuar nga Gebelsi.
…
Lajmi 3.
Strategjia me varreza.
Akuza më e ulët deri sot është nekro-akuza e PDK-së ndaj Albin Kurtit:
“Ti s’ke varre në Kosovë.”
Me një rast, Albin Kurti, me akullore në dorë, si spontanisht u tha disave se nënën e ka nga një katund i Kosovës…
Demek, ka varre.
E dhimbshme.
Se ky kot është i lindur në Prishtinë.
Ata kanë vendosur që ky është i Malit të Zi.
(Unë nuk e kuptoj pse për PDK-në është keq të jesh shqiptar i Malit të Zi.
Pastaj pyesin pse po shuhen…)
…
Lajmi 4.
Edi Rama
dje vendosi se Albin Kurti nuk i organizon protestat kundër tij, që ai i quan “çorbë”.
Ama, çorba e lirë t’i djeg buzët.
Pardje e akuzoi Iranin për protestat kundër tij.
Por,
pasi e pa se Irani po i bën gaslighting, dhe se është i zënë me Amerikën,
e ndërroi armikun.
Problemi është se Edi Rama e di se protestuesit janë shqiptarë.
…
(Sa herë kam protestuar si vajzë gjimnazi, kurrë s’e kam ditur kush po na fton.
Dikush e çelte derën e klasës:
“Vrap, në protesta!”
Ne dilnim me vrap, nën zërin e profesorit të matematikës që na pyeste:
“Po a e dini kush po ju fton?”
S’dinim gjë.
Veç e dinim se kishim arsye të protestonim.)
…
Protesta të bën të ndihesh gjallë.
Ky është problemi i Edi Ramës.
Që populli i shkrumbuar nga varfëria dhe i lodhur nga pritjet e gjata, ka nevojë, me çdo kusht, të ndihet gjallë.
Kur je i lodhur, nuk lyp ilaç me prejardhje shqiptare.
Ilaçi gjendet në natyrë.
E natyra… është e krejtve.
…
Dje Edi Rama e ndërroi edhe pak armikun dhe tha se diaspora ka faj.
Nëse shikohet në pasqyrë,
e sheh të vërtetën.
S’është me rëndësi a është Edi Rama fajtor për trishtimin e shqiptarëve.
Me rëndësi është që shumë shqiptarë janë të trishtuar dhe u duhet një fajtor.
E fajtori duhet të jesh ti, që i udhëheq aq gjatë.
…
Kështu fillon fundi.
Por Edi Rama nuk e sheh.
Përpiqet ta krijojë një popull të ri, derisa një popull “i dyshimtë”
proteston kundër tij për një Shqipëri të Re, pa të.
Pikërisht siç bëjnë të pamundurit në fundin e tyre politik.
…
Ai i sheh protestuesit si do katundarë të prapambetur.
Me flamur.
Prandaj poston fotografi me bërllogun që mbetet pas protestës.
Për t’i mohuar, me bërllog.
Kaq patetik bëhet njeriu… kur i dhemb…
Askush, kurrë, edhe sikur komplet protestuesit të bëhen bashkë për ta thurur një fjali, nuk mund ta ofendojnë Amerikën më shumë se Edi Rama,
i cili Presidentin Trump e quajti:
“I çmendur dhe turpi i njerëzimit.”
…
(Shënim me rëndësi historike:
Shqiptarët e rrëzuan bustin e Enver Hoxhës disa vite pasi u siguruan se diktatori kishte vdekur e nuk çohej më.)
…
Lajmi 5.
Një këngë shqiptare, frymëzuar nga një përvojë mashkullore, thotë:
“Kur të del ajo prej shpisë,
kalljani krejt fustanat.”
(Pra, gruaja shqiptare gjithmonë del prej një shtëpie.
Sepse, gjithmonë shkon në një shtëpi të huaj…)
Kjo këngë besohet se ka pasur rrezik të këndohet në dasmën e Dua Lipës, e cila dyshohet se ende nuk e ka nxjerrë kokën nga velloja,
aq e gëzuar që është…
…
P.S.
Procesmbajtësi:
Aman, kjo Kimetja.
Njëqind versione veç për P.S.
Jo kjo presje nuk e ka vendin këtu.
Jo kjo pikë është zhvendosur pak më larg.
Jo “velloja” është më e bukur se “duvaku”.
Jo “gëzuar” është më e bukur se “entuziazmuar”.
Jo “e krejtve” është më e bukur se “e të gjithëve”.
A e di kjo që nuk po shkruan për profesorin e Semantikës në Oslo.
…
Kryesuesi:
Po për kë po shkruan?
…
Procesmbajtësi:
Për popullatën vendore.
…
Kryesuesi:
Po P.S.?
…
Procesmbajtësi:
P.S. është në versionin e njëqindtë.
…
Kryesuesi:
Është normale?
…
Procesmbajtësi:
Dyshohet.
…
Ah.
Me mujt me gjetë një punë tjetër.
Kalinka tvoja.
…
AUTOKRITIKË:
Më pëlqeu një burrë,
pa folur asnjë fjalë.
Kjo më ndodhi.
Për herë të parë.
Një shikim.
Kaq i mjaftoi shpirtit tim
të ndiente gëzim.
…
© Kimete Berisha
Të drejtat autoriale të rezervuara.


