“Votat duhet të rinumërohet në tërësi”, Haradinaj kërkon që Prokuroria të aktivizohet: E habitshme si nuk janë vendosur në lëvizje
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar zyrtarisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të merr vendim për rinumërimin e tërësishëm të të gjitha kutive të votimit, pas rinumërimit të pjesshëm ku dolën manipulime të shumta me vota brenda partive të kandidatëve.
Haradinaj ka shprehur habi dhe ka ftuar që Prokuroria të aktivizohet dhe të nis hetimin siç ka thënë të një grusht hajdutësh që kanë lënduar procesin e përfunduar demokratik të votimit.
Statusi i plotë i Ramush Haradinajt, kryetar i AAK-së:
Rinumërimi i pjesshëm i votave të kandidatëve po e nxjerr në shesh një skemë manipulimi të përmasave shqetësuese të votës së qytetarit.
Procesi i këtyre zgjedhjeve qysh sot është lënduar dhe pas këtyre gjetjeve, vota duhet të rinumërohet një për një. Pa rinumërim të tërësishëm, nuk sigurohet integriteti i këtyre zgjedhjeve.
E habitshme qysh Prokuroria nuk është vënë në lëvizje qysh sot. Demokracia nuk mund të jetë viktimë e një grushti hajdutësh. Apeloj tek të gjithë mekanizmat që me vendimet e veprimet e tyre ta mbrojnë votën e qytetarit dhe ta rikthejnë integritetin e zgjedhjeve të 28 Dhjetorit.
Çdo drejtim tjetër do të kishte pasoja të pariparueshme!