
Ganimete Musliu, ndihet krenare me shkuarjen e ushtarëve të FSK-së në Gaza: Kosova nuk është vetëm përfituese e sigurisë, por edhe kontribuuese
Forca e Sigurisë së Kosovës po dëshmon edhe një herë se është një institucion serioz, profesional dhe gjithnjë e më i gatshëm për të marrë përgjegjësi përtej kufijve të vendit.Kërkesa e FSK-së për pjesëmarrje në operacione jashtë vendit, e miratuar nga Qeveria e që sot është në proces shqyrtimi në Kuvend, është një hap i rëndësishëm që tregon pjekurinë e shtetit tonë dhe besimin që kemi ndërtuar në kapacitetet tona mbrojtëse. Rruga institucionale nga Qeveria, te Kuvendi dhe deri te Presidenca garanton legjitimitet të plotë dhe përfaqësim të vullnetit qytetar në vendime kaq të rëndësishme.
FSK sot nuk është më thjesht një forcë në zhvillim, por një strukturë e ngritur mbi standardet më të larta profesionale, e trajnuar sipas praktikave më të avancuara të botës dhe e gatshme të kontribuojë në paqe, siguri dhe stabilitet ndërkombëtar. Krahas mbështetjes morale, është jetike që ushtarët tanë që do të shërbejnë në misione jashtë vendit të kenë mbështetje të plotë institucionale në çdo aspekt. Kjo nënkupton sigurimin e kushteve optimale logjistike, pajisjeve të nevojshme sipas standardeve ndërkombëtare, si dhe përkrahje të dinjitetshme financiare për ta dhe familjet e tyre. Ata përfaqësojnë shtetin në skenën ndërkombëtare dhe meritojnë jo vetëm respektin tonë, por edhe përkushtimin konkret të institucioneve që të mos u mungojë asgjë në përmbushjen e këtij misioni të rëndësishëm.
Pjesëmarrja në misione jashtë vendit nuk është vetëm detyrë, por edhe nder. Është dëshmi se Kosova nuk është vetëm përfituese e sigurisë, por edhe kontribuuese aktive në të. Është mesazh i qartë se shteti ynë është i përkushtuar ndaj vlerave të aleancave ndërkombëtare dhe ndaj paqes globale.Mbështetja për FSK-në në këtë rrugëtim duhet të jetë e plotë dhe pa dilema. Prandaj ne emer te Partise Demokratike ofroj mbeshtetjen e plote duke besuar fuqishem se aty ku është FSK, është dinjiteti, profesionalizmi dhe përfaqësimi më i mirë i Republikës së Kosovës.

