
Milan, gjithçka për t’u bërë nga e para? Moskualifikimi në Champions mund të sjellë një tjetër revolucion
Massimiliano Allegri prej javësh kishte deklaruar se fundi i muajit mars do të ishte momenti për të parë situatën dhe tani që është mesi i prillit bilanci flet për një avantazh prej vetëm 3 pikësh me Juventusin e 5 pikësh me Comon(që mund të bëhet 4 apo 2 pikë) në garën për një vend në zonën Champions, diçka që deri para pak javësh dukej se ishte e sigurt, por që tani nuk është më e tillë dhe kjo ka pasoja.\
Rafael Leao, ditën e shtunë për herë të parë u bë objekt i fërshëllimave të tifozëve. Një sinjal ky që në rastin më të mirë shihet si një ftesë për të bërë diçka më shumë, por që në të vërtet konfirmon mbylljen e një raporti për shkak të lodhjes së tifozëve dhe apatisë së Leaos. Çfarë do të ndodhë në merkaton e verës, nuk dihet, edhe pse nuk është e vështirë të imagjinohet se Milani do të studiojë ofertat e mundshme, por me sigurinë se shifrat e kërkuara 3 vite më parë janë shfryrë dukshëm.
Por me shitjen e Leaos klubi nuk mund të sigurojë të ardhurat që do për të sjellë në skuadër një zëvendësues në lartësinë e duhur. Rafael Leao është vetëm një element, lista e largimeve mund të zgjatet dhe në të janë Fullkrug, Gimenez, Loftus-Cheek dhe ndoshta edhe Pulisic, Tomori, Estupinan dhe kushedi ndonjë tjetër, të gjithë lojtarë që mund të largohen nga Milanello për të kërkuar fatin diku tjetër. Problemi është që në takim me llogaritë e pranverës edhe vetë Allegri erdhi i shfryrë, me trajnerin që para pak javësh ishte siguria e Milanit të ri.